Evropa është tronditur nga kriza shëndetësore e shkaktuar nga Covid-19. Megjithëse disa kërkojnë një kthim të shpejtë në punën e zakonshme, ekziston një konsensus në rritje për një të ardhme më elastike dhe më të qëndrueshme. Dy blloqet kryesore të ndërtimit janë Bashkëpunimi më i madh Evropian për shëndetin publik dhe drejtimi i dhënë nga Marrëveshja e Gjelbër Evropiane. Ne biseduam me Petra De Sutter, zëvendës kryeministre dhe ministre për shërbimin civil dhe ndërmarrjet publike Belge, për të ardhmen e sistemeve shëndetësore dhe bashkëpunimin evropian.

Green European Journal: Punonjësit shëndetësorë u shpallën heronj në vitin 2020. Si mund të shkojmë përtej duartrokitjeve, dhe ta mbrojmë shëndetin publik dhe sektorin e kujdesit shëndetësor?

Petra De Sutter: Pyetjet “Si” janë më të vështirat sepse të gjithë bien dakord që kjo krizë ka qenë një thirrje zgjimi për sistemet shëndetësore në BE. Si gjithmonë, në kohë krize, është sektori publik ai që duhet të paraprijë dhe të gjejë zgjidhje. Nuk është e mjaftueshme vetëm t’i duartrokasim punonjësit shëndetësorë ; nevojiten reforma strukturore dhe rritje e shpenzimeve shëndetësore. Politikat e kursimit që na shtyjnë drejt liberalizimit, privatizimit dhe efikasitetit më të lartë të kostos në sektorin e kujdesit shëndetësor ishin gjithmonë të rrezikshme sepse ato i linin vendet Evropiane pa kapacitete të tepërta për menaxhimin e krizave. Tani, në të gjithë Evropën, çdo parti politike e ka kuptuar nevojën për investime më të mëdha në shëndetin publik.

Nuk është e mjaftueshme vetëm t’i duartrokasim punonjësit shëndetësorë; nevojiten reforma strukturore dhe rritje e shpenzimeve shëndetësore.

Nuk ka të bëjë vetëm me kapacitetin e kujdesit intensiv; ajo që duhet të mësojmë nga kjo krizë, është nevoja për më shumë investime në shëndetin mendor dhe në parandalimin e tij. Izolimi dhe ora policore kanë shkaktuar çështje serioze të shëndetit mendor. Depresioni dhe ankthi arritën kulmin gjatë valës së parë dhe rrezikohet që e njëjta të ndodhë përsëri. Pastaj, nëse shikoni se si evoluoi kriza dhe si u përhap virusi, është e qartë se shërbimet shëndetësore preventive kursejnë departamentin e trajtimit. Parandalimi shkon përtej sektorit të shëndetësisë. Ka të bëjë me rreziqet mjedisore dhe ndotjen, cilësinë e ushqimit dhe politikat tregtare dhe sigurinë në punë. Një mënyrë e rëndësishme për të mbështetur sektorin e shëndetësisë është zbatimi i qasjes “shëndet në të gjitha politikat” në mënyrë që ndikimet në shëndetësi të merren parasysh në të gjitha fushat.

A do të mundet që ky konsensus i ri rreth përfundimit të masave shtrënguese të tejkalojë krizën në sektorin shëndetësor?

Petra De Sutter:  Kjo është pyetje një milion dollarëshe. Disa grupe politike mund të duan t’i kthehen punës së zakonshme me t’u tejkaluar kriza. Sidoqoftë, ndjeshmëria publike është e fortë. Edhe para krizës, sondazhet nga e gjithë Evropa treguan se mbi 70 përqind e qytetarëve të BE-së e konsiderojnë parësor shëndetin dhe duan që BE të bëjë më shumë. [1]

Për më tepër, masat e vendosura tani nuk do të jenë thjesht të përkohshme, ato do të çojnë në ndryshime strukturore. Në nivel Evropian, solidariteti midis vendeve anëtare dhe sistemeve të tyre shëndetësore duhet të thellohet. Shëndetësia është sigurisht një kompetencë e një vendi anëtar, kështu që do të jetë një luftë. Por momentet e krizës janë zakonisht koha kur Bashkimi Evropian bën hapa përpara dhe kriza si Covid-19 nuk njohin kufij.

Çfarë do të përfshinte Bashkëpunimi më i gjërë Evropian për shëndetin?

Petra De Sutter:  Një politikë e plotë e shëndetësisë në nivel Evropian ndoshta nuk do të funksionojë pasi prek shumë fusha, si sigurimet shoqërore dhe financimin. Vendet Evropiane kanë sisteme të ndryshme me nivele të ndryshme të privatizimit, kështu që mund të mos jetë as e dëshirueshme dhe nuk është as realiste. Por ajo që Bashkimi Evropian mund të bëjë është të përfshijë masat që përmirësojnë shëndetin në të gjitha zonat në të cilat ka fuqi, për shembull: ushqimi dhe bujqësia, tregtia dhe punësimi.

Aty ku mund të veprojë drejtpërsëdrejti në çështjet shëndetësore, si për shembull në menaxhimin e krizave, BE duhet të shkojë përtej rekomandimeve për të ndërmarrë veprime më komprometuese.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, si agjensi e BE-së , ka një mandat dhe gatitshmëri për menaxhimine krizave dhe ajo duhet të forcohet, me kompetenca më të mëdha për të koordinuar mbylljet e kufijve dhe rezervat emergjente të ilaçeve dhe pajisjeve. Një propozim i Gjelbër është krijimi i një force shëndetësore të BE-së, e cila do të ishte pjesë e sistemeve të mbrojtjes civile të Evropës. Mjekët dhe infermierët në spitalet në të gjithë Evropën mund të trajnohen dhe përgatiten për mobilizim në rast të një krize lokale ose globale.

Po sa i përket bashkëpunimitmbi ilaçet dhe pajisjet mjekësore?

Petra De Sutter : Gjatë kësaj krize është vënë në dukje varshmëria e Evropës ndaj ilaçeve themelore të prodhuara në vende tjera të botës. Paracetamoli prodhohet në Kinë, paketohet në Indi dhe dërgohet në BE. Imagjinoni një krizë ku kufijtë do të ishin vërtet të mbyllur dhe qasja plotësisht e ndërprerë. Pra, nevojitet një rilokalizim i ri, i organizuar në nivel Evropian. Bashkimi Evropian gjithashtu ka kompetencë mbi zhvillimin dhe tregtimin e produkteve farmaceutike dhe vaksinave.

Gjatë krizës së Covid-19, disa shtete anëtare filluan të negociojnë drejtpërsëdrejti me kompanitë farmaceutike për të porositur paraprakisht vaksina. Sigurisht, industrisë i pëlqen të negociojë me shumë vende. Për fat të mirë, Komisioni Evropian që atëherë e ka marrë përsipër dhe rezultati do të jetë kushte shumë më të mira për zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave. Nëse duam të sigurojmë kushte të përballueshme dhe qasje për vendet në pjesën tjetër të botës, niveli Evropian është thelbësor.

Kriza ngre pikëpyetje se si ne i prodhojmë dhe i tregtojmë produktet farmaceutike në përgjithësi. Fuqia e industrisë farmaceutike është e jashtëzakonshme. Ata njëkohësisht negociojnë çmime në favor të tyre dhe përqendrohen në barnat më fitimprurëse. Ata nuk janë të interesuar për ilaçe me kosto të ulët. Sektori publik, duke e përfshirë atë në nivelin Evropian, duhet të marrë në konsideratë iniciativën dhe investimin në laboratorët publik për kërkime dhe zhvillim.

Ekziston gjithashtu një argument për t’i ndarë nga njëri-tjetri zhvillimin dhe tregtimin e barnave. Sektori publik mund të japë udhëzime në lidhje me atë se ku duhet të ndodhë zhvillimi dhe më pas të punojë me tregun për të organizuar kërkime dhe marketing. Tregu farmaceutik nuk është si tregjet e tjera, sepse në radhë të pare ju, si pacientë, nuk e zgjidhni sëmundjen tuaj dhe, së dyti, në fund të fundit, gjithçka paguhet nga paratë publike ose nga sigurimi shëndetësor.

Pandemia ka shkaktuar një krizë sociale, por gjithashtu paraqet një krizë mjedisore. Si mund të sigurojnë të Gjelbrit që shkaqet e saja rrënjësore të mos humbasin në shtysën për rimëkëmbjen ekonomike?

Petra De Sutter : Pandemia e Covid-19 ndodhi për shkak të rrezikut të përhapjes zoonotike që sjell marrëdhënia jonë me ekosistemet. Ekspertët kanë paralajmëruar tashmë se sëmundje të tjera si Covid-19 do të shfaqen në të ardhmen, veçanërisht nëse shkatërrimi i habitateve të kafshëve të egra vazhdon. Detyra e të Gjelbrëve është të mbajnë këtë mesazh në krye të agjendës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përfshirë këtë rrëfim në analizën e saj ndaj krizës së Covid-19. Drejtori i saj Tedros Adhanom ka folur rreth asaj se si pandemia na i kujton “marrëdhëniet intime dhe delikate midis njerëzve dhe planetit”. Pothuajse tingëllon si një i Gjelbër. Hapi tjetër është të sigurohemi që kjo lidhje të njihet po aq edhe nga qeveritë dhe institucionet Evropiane.

Angazhimi i BE-së për të mbrojtur biodiversitetin në 30 përqind të të gjitha ekosistemeve deri në vitin 2030 duhet të mbështetet me investim dhe aksion. Lidhjet midis humbjes së biodiversitetit dhe origjinës së kësaj krize, si dhe atyre midis ndotjes së ajrit dhe ndjeshmërisë ndaj Covid-19, tregojnë se mjedisi, ndryshimi i klimës dhe shëndeti nuk mund të ndahen. Nëse duam të mendojmë për qëndrueshmërinë dhe shmangien e pandemive në të ardhmen, çështjet e tilla duhet të trajtohen si një e vetme.

A ka ndonjë faktor që tregon se implikimet e krizës shëndetësore shkojnë shumë më thellë sesa ngrohja klimatike? Nuk ka të bëjë vetëm me sistemet e energjisë; Covid-19 ka prekur çdo aspekt të jetës tonë.

Petra De Sutter : Mund të tingëllojë çuditshëm, por ndryshimi i klimës është akoma në fazën fillestare. Shkon shumë ngadalë dhe njerëzit nuk mund ta shohin efektin e tij të menjëhershme. Sigurisht, do të duhejtë ishit të verbër për të mos i vënë re ndryshimet në sistemet klimatike botërore. Por, po flasim për ngjarje për të cilat nevoijiten rreth 10, 15, madje 30 vjet për t’u bërë të dukshme. Ndryshimet klimatike janë abstrakte dhe shpesh janë problem i gjeneratës së ardhëshme. Pandemia, nga ana tjetër, ka qenë kaq shkatërruese; ajo solli gjithçka në një ngërç ashtu siç nuk mund ta imagjinonim një vit më parë. Ngjante diç si fanta-shkencë, por ndodhi. Kur ndryshimi është kaq radikal – për shoqërinë, për kompanitë, për industrinë, për të gjithë – është momenti të orientojmë rimëkëmbjen në një drejtim të ri.

Kur ndryshimi është kaq radikal […] është momenti të orientojmë rimëkëmbjen në një drejtim të ri.

A do të shohim këtë lloj ?

Petra De Sutter : Forcat, kryesisht në të djathtën ekstreme, që duan t’i kthehen punës së zakonshme dhe t’i përmbahen një ekonomie të karburanteve fosile tani janë në pakicë. Ndërmjet grupeve të tjera politike, në shumicën e vendeve të BE-së (edhe pse jo në të gjitha), madje edhe në Komisionin Evropian, kjo krizë kuptohet si një moment për të ndërtuar një të ardhme të bazuar në neutralitetin klimatik dhe në dixhitalizimin. Propozimet dhe idetë e gjelbra për rimëkëmbje dhe qëndrueshmëri, që u paraqitën gjatë krizës, vazhduan të formësojnë paketën e rimëkëmbjes së BE-së. Sepse kur rindërtoni një ekonomi, nuk mendoni për një afat kohor dy ose tre vjeçar, por shikoni 20 ose 30 vjet përpara. Ambiciet dhe afati kohor për klimën dhe tranzicionet e energjisë janë të qarta dhe ato ofrojnë drejtimin që duhet marrë.

Cilat rreziqe kërcënojnë këto perspektiva për një rimëkëmbje të gjelbër?

Petra De Sutter: Marrëveshja e Gjelbër Evropiane sigurisht tingëllon e mrekullueshme dhe ambicioze, por planet gjithmonë tingëllojnë bukur në letër. Të Gjelbrit kanë marrë gjithmonë një qëndrim konstruktiv, por kritik ndërsa presin të shohin se çfarë do të thotë e gjitha kjo në praktikë. Koherenca është thembra e Akilit në këtë plan. Progresi i bërë përmes një strategjie të biodiversitetit dhe investimeve të gjelbëra mund të nënvlerësohet plotësisht me reformat bujqësore që nuk mandatojnë ndalesën e pesticideve të nevojshme dhe një politike tregtare që lejon uljen e standardeve.

Sepse kur rindërtoni një ekonomi, nuk mendoni për një afat kohor dy ose tre vjeçar, por shikoni 20 ose 30 vjet përpara

Një pyetje tjetër e rëndësishme është se si do të përdoren paratë e rimëkëmbjes. Vendet e BE-së kanë për qëllim të investojnë në tranzicionin e gjelbër dhe dixhital, por sa e ashpër do të jetë mbikëqyrja?

A do të jetë kjo një rimëkëmbje thjesht ekonomike dhe jo e përqendruar në aspektet ekologjike dhe sociale? Çështjet sociale, shëndetësia dhe arsimi nuk kanë luajtur kurrë një rol të madh në semestrin Evropian. Përkundrazi, vendet e BE-së shpesh inkurajoheshin të ulnin investimet publike dhe, në të kaluarën, Komisioni Evropian madje u ka kërkuar vendeve anëtare të privatizonin pjesë të sistemeve të tyre shëndetësore për të kursyer para. Le të shpresojmë se diç e ngjashme nuk do të ndodhë dhe se investimi do të shkojë atje ku duhet.

Dy partitë e Gjelbra të Belgjikës hynë në qeveri në Tetor 2020 dhe të Gjelbrit janë në pushtet në shumë qytete, rajone dhe vende përreth Evropës. A kërkon ndonjë rregullim largimi nga opozita për të qeverisur në një krizë?

Petra De Sutter : Pas një kohe shumë të shkurtër në qeveri, ne akoma jemi duke u mësuar dhe shumë njerëz në partinë tonë mbeten në modalitetin e opozitës. Kur bëni një marrëveshje për të hyrë në qeveri, ajo bëhet programi juaj edhe nëse nuk është manifesti juaj. Marrëveshja e koalicionit belg ka shumë elementë të gjelbër dhe ne shkruamë për klimën, energjinë dhe lëvizshmërinë. Ca pjesë të tjera nuk i përkisnin programit tonë, por kjo do të thotë të jesh pjesë e një mazhorance qeverisëse.

Nevojitet një ndryshim mentaliteti pas gati 20 vjetësh në opozitë. Në Belgjikë, të Gjelbrit tani më janë në pushtet në nivelin federal dhe në rajonet e Brukselit dhe Wallonisë. Në Ghent, një qytet shumë i dashur për mua, ata kanë qenë në pushtet për gjashtë vjet. Njerëzit i shohin efektet në cilësinë e jetës së tyre dhe vlerësojnë atë se të Gjelbrit nuk janë vetëm ëndërrimtarë. Të lëvizësh nga teoria dhe opozita për të bërë që të ndodhë ndryshimi, është e rëndësishme.

Përktheu Arta Rexhepi

Life Under Shock: Understanding the Pandemic
Life Under Shock: Understanding the Pandemic

Recognising that a pathogen will not bring forth a fairer, more sustainable future but people, ideas and politics can, this edition asks how the health crisis will influence our world in the years to come.

Order your copy