Kur vështrojmë qytetet bashkëkohore sot në botë, lehtësisht mund të dalim në përfundimin se duket sikur ato janë të projektuara për t’iu përshtatur sa më mirë kërkesave dhe interesave të aktorëve të fuqishëm financiarë, krahasuar me interesat e banorëve që jetojnë në to. Teksa këta aktorë të panjohur i kalojnë edhe më shumë kufijtë, në hapësira nga më të ndryshmet – si fizike dhe virtuale – në peizazhin urban, njërëzit e zakonshëm duket sikur po humbasin terren dhe në vetë lagjet e tyre ose po zhvendosen totalisht, lind pyetja: çfarë shpresash ka që qytetarët të mund t’i rezistojnë këtyre dinamikave? 

Green European Journal: Ju jeni autore e librit “Qyteti Global” në 1991. A mund të na e shpjegoni këtë concept pak më qartë? 

Saskia Sassen: Koncepti i përhapur gjerë në vitet 1980 se të qënit në një vend të caktuar nuk do të kishte më rëndësi për sektorët ekonomikë, të cilët mund të përdorin teknologjinë digjitale, më nxiti për të studiuar me vëmendje sektorët ekonomikë ndjeshëm të digjitalizuar dhe më shtyu për t’u fokusuar në sektorin financiar, i cili tashmë është kthyer në sektorin me rritjen më të lartë edhe pse kaloi çrregullimeve, gjë e cila i lejoi firmat financiare të përfshihen në sfera nga më të ndryshmet, nga të cilat ishin përjashtuar më parë, që nga borxhet studentore e deri tek kreditë e banesave.  

Ky rezultoi të jetë hapi i parë drejt konceptualizimit të funksionit të qytetit global. U shndërrua në një përpjekje për të nxjerrë në pah një formacion të ri, disi bishtnues, thellë brenda qyteteve kryesore: një lloj platforme operative e gjerë, komplekse dhe e shumëllojshme që e vendosi vetveten aty ku ishin qendrat kryesore ekonomike në vitet 1980 – Nju Jork, Londër, dhe Tokio. Ky funksion, me kalimin e kohës përfshiu përreth 40 qytete kryesore, ndërkohë që globalizimi vazhdonte dhe përfshintë edhe më shumë shtete.  

Koncepti im, në variantin e tij më të ngushtë kishte të bënte me “funksionin e qytetit global”, njëfarë ure lidhëse që mundëson hyrjen në ekonominë e thellë të një shteti. Ajo çka gjithashtu më tërhoqi vëmendjen ishte koncepti se ekzistonin një sërë elementësh të ndërthurur që mund ta prodhonin këtë rezultat disi ironik: fakti se aktorët më të fuqishëm, më të pasur, dhe ata më të digjitalizuar ekonomikisht kishin nevojë për hapësirë urbane ose “vende qendrore”, ndoshta më shumë se kurrë më parë. Koorporata të mëdha, të angazhuara në prodhim rutinë mund të vendoseshin kudo. Por, nëse do të hidheshin në tregjet ndërkombëtare, do të kishin nevojë për akses ndaj një ndërthurje tërësisht të re të shërbimeve të specializuara e komplekse, pothuajse të pamundura për t’u prodhuara brenda vendit, siҁ ka qënë praktika e mëparshme. Një hipotezë e dytë, e cila ishte edhe më e fortë sesa e prisja, ishte se kjo logjikë e re ekonomike, ashtu pjesore, do të gjenerojë punë të nivelit të lartë dhe punë me paga të ulëta; do të kishte nevojë shumë më pak për punë të nivelit të mesëm krahasuar me koorporatat tradicionale. Por këto punë të nivelit të ulët, qoftë në zyrë apo shtëpi, do të kishin më shumë rëndësi se sa mund të imagjinohet. Unë i kam përshkruar këto punë me rroga të ulëta në sektorët e avancuar ekonomikë, veçanërisht në financë, si puna e të mbajturit një infrastrukturë strategjike.  

Si ndërlidhet qyteti global me globalizimin? 

Ekonomia standarde nuk e rrok dot ndërthurjen e dinamikave që prodhohen nga funksionet e qytetit global, apo edhe dinamikat thelbësore të transaksioneve të larta financiare. Mikroekonomia dhe makroekonomia janë në nivelin më të lartë dhe më me vlerë – ose ndoshta në funksionin e tyre të vetëm të përdorshëm – kur trajtojnë sektorë ekonomikë të standardizuar. Një hipotezë kyçe që doli në pah që herët në kërkimin tim ishte se ndërmjetësimi ishte një funksion tejet strategjik dhe sistematikisht i rëndësishëm për ekonominë globale që mori jetë në vitet 1980. Kjo, nga ana tjetër më udhëhoqi drejt krijimit të hipotezës për nevojën e tipologjive specifike të hapësirave: hapësirave për krijimin e aftësive dhe instrumentave të ndërmjetme.    

Një hapësirë e tillë stratëgjike i përket instrumenteve të nevojitura për transferimin e punëve, diçka të cilën unë e kam analizuar në librin tim të parë. Por, kur filloi të dalë në pah në 1980, ishte në një tjetër shkallë kompleksiteti dhe larmie sektorësh ekonomikë: solli me të krijimin e një mënyre komplet tjetër të të bërit të qyteteve. Unë e kam quajtur “qyteti global” – një hapësirë për prodhimin dhe/ose zbatimin e aftësive të ndërmjetme tepër komplekse dhe të shumëllojshme.  

Kjo, nuk i referohet të gjithë qytetit. Unë parashtrova se qyteti global ishte një funksion prodhimi i futur në qytetet ekzistuese komplekse. Ky funksion i ri hedh një hije të madhe mbi hapësirën e madhe të një qyteti.  

Në Europë, dita ditës, ka edhe më shumë rrjete qytetesh dhe lëvizje urbane që po shfaqen dhe po ngrenë zërin. Qytetarët shprehin dëshirën për të marrë kontrollin dhe për të ndërmarrë iniciativa të reja, si për shembull kooperativa për energjinë, repair cafe dhe fab labs. A mund të jemi optimistë? 

Kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Është nevoja të fokusohemi në specifikat e qyteteve të cilat ndryshojnë shumë. Unë do të përgjigjesha po. Por, do te këtë nevojë për shumë punë dhe nënkupton se qytetarët duhet të jenë të mirëinformuar mbi të drejtat e tyre dhe çka ata mund të kërkojnë nga qeveria lokale dhe qendrore për sa i përket ndryshimeve në qytetin dhe/ose në lagjen e tyre.  Për momentin, pjesa më e madhe e qytetarëve ndoshta ende nuk janë të vetëdijshëm për kërkesat që mund të bëjnë – diçka interesante në vetvete. Lind nevoja që kjo përpjekje të zgjerohet për të bërë kërkesa në fusha ku për momentin nuk ka legjislacion apo statut të qartë, dhe për të shkuar edhe më tej kësaj, Është ë nevojshme të punohet në disa drejtime për të arritur që qytetarët të qendrojnë në të njëjtën linjë me qeverinë lokale të një qyteti. Është një betejë që ia vlen për t’u luftuar dhe një mënyrë me shumë vlerë për t’u zhvilluar.  

Cilat janë forcat dhe/ose aktorët që vërtet po i japin formë qyteteve në Europë sot? 

Dominojnë dy forca të ndryshme: këto forca janë pjesërisht ende emergjente në atë që janë të ndryshme nga logjika e mëparshme urbane në qytetet Europiane. Njëra prej tyre është ngritja e qyteteve si aktorë kryesorë dhe vende përqëndrimi të trendeve kryesore politike e ekonomike. Nuk është e thënë që qytetet e rëndësishme të jenë dhe më të mëdhatë – Frankfurti është një qytet i fuqishëm edhe pse është shumë më i vogël se Londra e Parisi. Rritja e funksionit të fortë ekonomik, që disi në mënyrë të papritur rezultoi të ketë nevojë për hapësirë urbane, pati një ndikim madhor, për mirë apo për keq. Qytetet po bëhen edhe njëherë makina bërjeje pasurie, një funksion që ato e kishin humbur kur sektorët dominues ekonomikë ishin fokusuar në bërjen e infrastrukturës, ndërtimin e banesave, dhe “shpërthimin” e periferisë. Funksioni i bërjes së pasurisë ka disa efekte pozitive (ripërtëritja e infrastrukturës dhe transportit, krijimi i punëve të reja, e kështu me rradhë), por duhet punë serioze. Pjesa më e madhe e banorëve urbanë dhe funksioneve ekonomike urbane kanë tendencën të jenë modestë dhe për pasojë të rrëzikojnë të shkatërrohen nga funksionet e reja të nivelit të lartë.  

Ashtu siç kam diskutuar në librin tim Explusions, një dinamikë kyçe në ekonomitë e sotme perëndimore është vargu i përjashtimeve të njerëzve dhe aktorëve të tjerë (si p.sh bizneset e vogla), prej mundësive ekonomike e sociale që ata kishin dikur. Fokusi im është pikërisht tek kjo pikë përjashtimesh – një anë që është thelbësisht ndryshe nga kufijtë gjeografikë në sistemin ndërshtetëror. Fokusi tek kufijtë vjen prej një prej hipotezave kryesore që trajtohen në këtë libër: që levizja nga Kejnezianizmi tek periudha globale e privatizimit, çrregullimet, dhe kufijtë e hapur për disa, detyroi kthimin nga dinamikat që i sollën njerëzit brenda sistemit tek dinamikat që i nxorrën këta njerëz jashtë.  

Si e shihni të ardhmen e qyteteve dhe tërë diskutimin rreth qyteteve “smart” dhe të qendrueshme?  

Diskutimi rreth qyteteve smart, të ndërlidhur dhe të qendrueshëm është politik, dhe është po ashtu – ose duhet të jetë – parësor ndaj çështjeve mjedisore ose drejtësisë sociale. Një observim që kam vërejtur e kërkuar në punën time mbi qytetet globale është se në periudhën tonë, qytetet janë bërë shumë herë më të rëndësishme për gjeopolitikën, ekonominë globale, dhe drejtësinë sociale sesa kanë qënë në periudhën e dominuar nga logjika Kejneziane. Në atë periudhë të mëparshme pjesa më e madhe ishte nën udhëheqjen e shtetit dhe rindërtimet e pasluftës ishin në pjesën më të madhe nën menaxhimin shtetëror. Por, kur qeveritë çrregullojnë dhe privatizojnë sektorët ekonomikë që dikur ishin nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të shtetit, këto funksione menaxheriale dhe rregullatore nuk zhduken tërësisht. Ato i transferohen firmave private: ato rishfaqen si shërbime këshilluese/konsulence të specializuar në financë, kontabilitet, e legjislacion për koorporatat. Këto lloj aktivitetesh kanë tendencën të vendosen në qytete, veçanërisht në qytete globale, nëse janë komplekse, sepse tregu i një kompanie është global. Dhe kjo nuk është gjithnjë diçka pozitive. Ne kemi nevojë për baraspeshë ndaj këtij sistemi emergjent fuqie që është i qendërzuar në zona urbane. Kjo nënkupton se duhet forcuar statusi dhe kapacitetet për të bërë efektive kërkesat e pjesës më të madhë të popullsisë së një qyteti të cilët kanë të ardhura modeste. Asnjë nga këto nuk eleminon me domosdo rolin e vazhdueshëm të një sistemi ndërshtetëror dhe institucionet e tij të shumta. Por, afat-gjatë, kjo krijon qytete de facto dhe jo de jure, aktorë kyç në ekonomitë kombëtare dhe në hapësirat ekonomke ndër-shtetërore, qarqet ndërkulturore, sfidat mjedisore, dhe të drejtësisë sociale, e shumë më tepër.  

Rritja e funksionit të fortë ekonomik, që disi në mënyrë të papritur rezultoi të ketë nevojë për hapësirë urbane, pati një ndikim madhor, për mirë apo për keq.

Ajo çka është e rëndësishme në analizën time është së përveç rritjes së përqëndrimit të fuqisë në qytetet kryesore, është edhe mundësia – veçanërisht në qytetet e mëdha që nuk mund të qeverisen plotësisht – e kundërshtimit të fuqisë në mënyra që shkojnë përtej asaj çka ne mund të kërkojmë nga qeveritë kombëtare. Ne, banorët, mund të ribëjmë pjesë të qytetit në mënyra të thjeshta të cilat nuk mund të bëhen nga shteti kombëtar. Kompleksiteti dhe paplotësia e qyteteve kryesore i jep atyre që nuk kanë fuqi mundësinë për të gjeneruar ekonomi lokale, kulturë dhe politikë lokale. Ata, mund të ngrihen në fuqi – deri në njëfarë pike – dhe të thonë: “Ne nuk po ju kërkojmë asgje, veçse po ju informojmë se ky është qyteti ynë gjithashtu”.  

A nuk janë mjediset urbane në qytetet e mëdha bëmat/krijimet e elitave të mirë-edukuara, kozmopolitane dhe të ndërlidhura të cilët ndihen si në shtëpi në Pekin, Nju Jork, Stamboll dhe Berlin, dhe ndajnë të njëjtin stil jetese – stil ky tejet i ndryshëm / i largët nga a i fqinjve të tyre ruralë?   

Kjo është sigurisht pjesë e historisë. Por, unë gjithashtu shoh një lloj të ri energjie të fokusuar në komunitet, me iniciativa rreth gjelbërimit, parcelave të të mbjellave dhe ri-lokalizimit të prodhimit aty ku është e mundur. Nuk do ta harroj asnjëherë se disa nga studentët e mi më të mirë tek Universiteti i Çikagos – i konsideruar si universiteti më i mirë në SHBA – vendosën të ndjekin punë komunitare: lokalizimi i prodhimit ushqimor, argëtimi lokal (posaçërisht muzikë dhe cirk), themelimi i lokaleve të voglave për të shmangur rrjetet franchise dhe shumë më tepër. E gjithë kjo nuk do të ndryshojë sistemet kryesore në botë, nga sistemet e larta financiare deri tek minierat shkatërruese. Por, kjo duhet parë si hap i parë në moblizimin e energjive ndaj drejtësisë sociale, mbrojtjes mjedisore, aktivitetet të drejtuara ndaj njerëzve e kështu me rradhë. Një politikë hapësire e cila rishfaqet qytet pas qyteti dhe mund në këtë mënyrë të ketë efekte të gjëra në funksione kyҫe urbane – nga ato politike në ato ekonomike.  

A mund të vendosim shenjën e barazimit mes qytetit dhe emigrantëve në ditët e sotme? A është qyteti një rezultat i mbivendosjes së tërë këtyre kulturave që vijnë dhe shpërhapën në atë çka ne sot quajmë ‘kozmopolitanizëm’ (edhe pse rrënjët e fjalës janë disi ndryshe)?  

Ti e the vetë! Po, mendoj vërtet ashtu, por qytetet janë edhe fushë beteje – çështja bëhet pak më e komplikuar. Unë flas pak për këtë në punën time mbi qytetet, sesi ato janë kufiri i sotëm. Mendoj se jemi dëshmitarë të krijimit të një tipi të tretë të konceptit të migrimit, – as emigranti familjar me të cilin jemi mësuar po as refugjati tipik.  

Kufiri historik ishte në skajet e perandorisë – ato hapësira të cilat ende nuk i kemi nën kontroll. Por, në leximet e mia, aktorë madhorë, nga SHBA dhe Europa e deri tek sektorët kryesorë kinezë, kanë patur sukses në marrjen e aksesit ndaj pjesës më të madhe të hapësirës në tokë ku mund të angazhohen në praktikat e tyre nxjerrëse.  

Pse është qyteti kufiri i ditëve të sotme? 

Përcaktimi im për kufirin është një hapësirë ku aktorët nga botë të ndryshme takohen e nuk ka rregulla të paravendosura të angazhimit. Dhe unë mund të argumentoj sesi qytetet tona të mëdha, disi të rrëmujshme, përmbajnë kufijtë e sotëm. 

Por me një ndryshim: siҫ thashë më parë, në qytete të tilla të varfërit dhe të pafuqishmit mund të jetojnë, punojnë dhe të bëjnë lagje, dhe mund të ngrihen në fuqi e të bëjnë kërkesa. Kjo është arsyeja pse unë shqetësohem për humbjen e hapësirës urbane që e mundëson këtë; duke qënë se vihet nën kontrollin nga aktorë të fuqishëm të cilët ndërtojnë ndërtesa – të cilat shpesh qëndrojnë boshe – dhe në këtë mënyrë shtyjnë tej ata të cilët nuk kanë fuqi por kanë ndjerë prej kohësh që qyteti në të cilin jetojnë dhe luftojnë për mbijetesë është gjithashtu qyteti i tyre.